Publikime

Qelqi Shqipetar

Qelqi Shqipëtar

Koleksioni që paraqisim në këtë katalog është rezultat i një punë 15-vjeçare të përkushtuar në prodhimet e fabrikavë shqiptarë të qelqit. Ka nisur në vitin 2004 dhe vazhdon edhe sot me gjetjen dhe mbledhjen e objekteve te veçanta të cilat janë fryt i një pune të palodhur të ustallarëve të qelqit. Koleksioni ndahet në kategoritë e tre fabrikave ekzistuese të kohës. Secila prej tyre prodhonte një shumëllojshmëri objektesh sipas një plani të caktuar vjetor, për të plotësuar kërkesat e tregut industrial shqiptar. Në këtë prodhimtari të qelqit renditim: fabrikën e Korçës (e para në Shqipëri, më 1954-ën) fabrikën e Tiranës dhe atë të Kavajës. Kemi klasifikuar dhe ndarë koleksionin në modelet dhe format e ndryshme që prodhoheshin në këto fabrika duke filluar nga fillimet e tyre në 1954-ën e deri në mbyllje të fabrikave në 1992-shin, një punë 40 vjeçare e kësaj industrie. Ky koleksion mbart në vetvete një vlerë artistikë, etnografikë dhe kulturorë të popullit shqiptar. Duke e grumbulluar vit pas viti lindi ideja e krijimit dhe klasifikimit të këtyre objekteve të qelqta që paraqisim në këtë katalog. Vështirësitë për grumbullimin e materialit kanë qenë të shumta, të tilla kanë qenë dhe emocionet sepse ky koleksion është unik në llojin e tij. Një meritë shumë të madhe për bashkëpunimin dhe mbështetjen në këtë punë kanë bashkëshortja dhe vajza ime.

Duke grumbulluar koleksionin e qelqit objekt pas objekti filloi të ngrihej një skemë gjigandë e prodhimeve të kësaj industrie, sa interesante nga ana estetike aq dhe e rëndësishme në vlerat e trashëgimisë dhe traditës shqiptarë. Nëse i sheh veçmas produktet e kësaj industrie duken tëzbehta dhe të shëmtuara, të shtrembra e naive, por në kompleksitet qëndrojnë madhështore gjë që do të vihet re në paraqitjen e këtij koleksioni.

Në rreth 6000 objekte qelqi që kemi grumbulluar, janë përzgjedhur, për krijimin e këtij katalogu, afërsisht 1600 prej tyre, duke u përpjekur kështu të jepet një imazh sa më i plotë i kësaj industrie gjigandë. Ndarja dhe përzgjedhja e tyre, format dhe modelet e ndryshme, na japin një shumëllojshmëri objektesh të cilat i paraqisim në kategori të ndryshme. Më shumë jemi përqëndruar tek fabrika e Korçës, por nuk kemi lënë pas dhe fabrikën e Tiranës dhe atë të Kavajës, fabrika të cilat meritojnë një vëmendje më të detajuar historikë nga ana e koleksionistëvë të tjerë të Qelqit Shqiptar.



Autori
Mirgen Shamlli

Kyçu