102 vjet pullë postare e Shqipërisë
- Hits: 4598
5 maji i vitit 1913 njihet si dita e lindjes së pullës postare të vendit tonë dhe meqenëse ajo, pa mëdyshje, përbën, krahas monedhës e kartëmonedhës, një simbol kombëtar të identitetit, dita e saj përkujtohet, historia dhe vlerat i përmenden e ndihmesa që ajo i ka dhënë e i jep kulturës, i çmohen.
Pulla e postës në Shqipëri
Në trojet shqiptare e ka zanafillën nga viti 1863, kohë kur doli dhe u vu në qarkullim pulla e parë e Perandorisë Otomane, fillimisht në zyrën postare të Shkodrës e më pas në 16 zyra të tjera postare. Deri në tetorin e vitit 1912, kohë kur postat otomane në trojet shqiptare mbyllën veprimtarinë, lista e zyrave postare, botuar nga administrata e postave osmane në vitin 1909, përfshinin në kryerjen e shërbimeve 62 zyra postare të të katër vilajeteve shqiptare. 24 prej tyre ngelën jashtë kufijve të Shqipërisë së coptuar, 13 në Greqi e 11 në Jugosllavi. Ndërkohë, në zyrat e Durrësit, Shkodrës, Shëngjinit, Sarandës e Vlorës, pullat e postës filloi t’i përdorë me të drejtën e traktateve të kapitulacioneve, shoqëria e lundrimit “Lloyd Austriaco”, ose siç quhen nga koleksionistët “Pullat e Levantit austriak”, si dhe postat konsullore austriake e italiane. Veçoria e pullave të përdorura nga postat konsullore italiane qëndron te mbishtypja. Ende pa fituar mëvetësinë, në këto pulla dhe karta postare mbishtypet që nga viti 1906, emri Albania dhe emërimi i qyteteve, Scutari, Valona, Duraco, etj.
Vlen për t’u përmendur se dy emisionet e fundit të Perandorisë Turke e kanë motivin nga ngjarjet dhe historia e trojeve shqiptare. Emisioni i vitit 1908 i kushtohet Kushtetutës së re, kërkesë kjo e grupit politik shqiptar; emisioni i vitit 1909 i kushtohet vizitës të sulltan Mehmetit V në dy vilajetet shqiptare, të Kosovës e Manastirit, me qëllim zbutjen e pakënaqësive. Pullat turke u zëvendësuan nga Qeveria e Përkohshme e Ismail Qemalit. “Pulla” e parë e Postës Shqiptare
Duke filluar nga data 5 maj 1913, shteti shqiptar fillon të përdorë për tarifim zarfe postarë me vlerë 1 grosh. Ajo që ne i themi “Pulla e Parë”, në të vërtetë është përpos se vulosje e 2232 copë zarfeve postarë me vulën e Ministrisë së Post-Telegraf-Telefonave. Përgatitja e zarfeve kishte filluar që më datën 1 maj 1913. Vula e rrumbullt, metalike, me diametër 38 mm, është porositur dhe prodhuar në Romë, së bashku me serinë e vulave që do përdoreshin në zyrat postare. Në mes të vulës është stema e shtetit të ri shqiptar me shqiponjën dykrerëshe, ndërsa përqark rrethorit, emërimi “MINISTERIA E POST-TELEG E TELEFONËVET”. Ngjyra e vulës ishte e zezë. Ngjyra e zarfeve haset: e bardhë, gri e çelët, ngjyrë kashte dhe bezhë. Edhe dimensioni i zarfeve të vulosur ka qenë i ndryshëm. Ndeshen me madhësi 10 x 15 cm, 12.5 x 15.5 cm dhe 11 x 14 cm.
Përdorimi i tyre, ashtu si dhe pesë emisionet e tjera të qeverisë së përkohshme të Vlorës, përfshiu vetëm ato zyra postare që nuk ndodheshin nën pushtimin grek, serb e malazez. Në veri kufizoheshin me Durrësin e Tiranën, në lindje me Elbasanin e Quksin dhe në jug me Vlorën. Kanë qenë vetëm 14 zyra postare, e më pas 11 të tilla, të cilat në njëfarë mënyre shpjegojnë dhe zonat ku shtrihej pushteti i shtetit të ri shqiptar.
Pulla postare si histori dhe kulturë
Pulla e parë, që mbarte tërë tiparet: e dhëmbëzuar, e gomuar, me letër të filigranuar dhe që tregonte qartë identitetin, ishte një portret i Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeut, sipër me mbishtypjen “SHQIPËNIA E LIRË”, e prodhuar në shtypshkronjën e Torinos, me porosi zyrtare të Qeverisë së Përkohshme. Emisioni i përbërë nga 6 vlera të emetuara në njësinë e re monetare, Frang e nën ndarjen e saj, qindar, u vu në qarkullim më 1 dhjetor 1913. Ishte emisioni i gjashtë në radhë i qeverisë së përkohshme, nga të cilat fillon kultura e koleksionimit në Shqipëri.
Që në fillimet e saj, interesi i koleksionimit të pullave të Postës Shqiptare ka qenë mjaft i madh, sidomos nga të huajt. Në shtypin e kohës përmenden agjentë tregtarë, si Okday, Freyse, Bickel, një përfaqësues i firmës “Borek”, etj., të cilët studiuesi John Phipps i përmend si agjentë tregtarë, rezidentë në Vlorë, Durrës e Shkodër. Gjashtë emisionet e para të pullave shënojnë dhe praktikat e para korruptive në pronën publike shqiptare, praktika që vazhdojnë e përsosen sot e gjithë ditën si drama të përhershme që zhvillohen në ekonominë e vendeve të varfra. Studiuesit Hartmman dhe Montader sjellin në botimet e tyre komentime të mjafta mbi pjesëmarrjen e zyrtarëve të qeverisë, si Nosi, Cilka e ndonjë tjetër, në tregtinë privatisht të pullave.
Pas emetimeve lokale që lulëzuan me shumë zell në periudhën e Luftës së Parë Botërore, fondi i vërtetë i pullave klasike shqiptare nis me emisionin e vitit 1922, të shoqëruara me pullat taksë, në të cilat, për herë të parë, fillon përdorimi i njësisë monetare “Lekë”. Emisioni “Ajror” është i fundit me vlerë koleksionimi në pullat klasike. Pas kësaj nis sundimi për 14 vjet në pulla i portretit të Ahmet Zogut, që përfundoi vetëm pasi Shqipëria ra nën pushtimin italian. Në ndihmë të zhvillimit të kulturës qytetare të koleksionimit të pullës postare erdhi në këtë periudhë hapja e dy dyqaneve filatelike në Korçë nga filatelistët Nikollaq Male, Anastas Manoli e Mihal Vangjeli. Ky i fundit, një të tillë e hapi pas Luftës së Dytë Botërore, në Tiranë.
Bazat e koleksionimit të pullës së Postës Shqiptare i hodhën koleksionisti shkodran Zef Prendushi, ministri i parë i Postave, Lef Nosi, drejtori i parë i Postës së Vlorës, Gjergj Cilka, i Postës Shkodrës, Sadik Tirana, Nikollaq Zoi, Ndoc Gjinaj, Pashko Saraçi, Luigj Kromiqi, Dhori Koti, Nikollaq Zoi e Aurel Ballamaçi. Ata u pasuan nga brezi i mëpasshëm: Stilian Nosi, Kol Gjinaj, Idriz Fishta, Kozma Basho e Miçe Kaçaku, të cilët lanë një trashëgimi të madhe materiale e studime filatelike. Kjo trashëgimi kulturore ndiqet sot me kujdes e përkushtim nga Llambi Koçi, Vasil Xhitomi, Muharrem Gimjani, Jovan Basho, Kristaq Jorgji, Lorenc Kaçulini e shumë të tjerë, të cilët janë të prirë për të mos lejuar dremitjen e lënien në harresë të këtij pasioni, me kaq shumë vlera për shoqërinë dhe trashëgiminë kulturore.
Ilustrime:
1. Salloni dhe qyqani i filatelisë, viti 1988, me shitësen e nderuar, Bashkime Luzi (sot i shndërruar në shërbimet e kutive postare).
2. Foto e koleksionistëve të shquar të Shqiperisë në 5 maj 1989 në Shkodër, pas seminarit shkencor mbi filatelinë dhe në pasfoto, autografet e të mirënjohurve Gjinaj, Daragjati, Fishta, Saraçi, Osmani, Manoli, Ballauri, etj.
3. Pulla e parë, 5 maj 1013, fragment.
4. Pulla e 1 dhjetorit 1913, me tiparet e një emëtimi kombëtar dhe modern, portreti i Skënderbeut, me dhembëzim dhe gomë.