105 vjet nga krijimi i Bankës Kombëtare Shqiptare
- Hits: 1613
Si sot, 105 vite më parë, më 4 tetor 1913, Ismail Qemal bej Vlora së bashku me 5 ministra të kabinetit të tij: Luigj Gurakuqi, Petro Poga, Mehmet pashë Dërralla, Myfid bej Libohova dhe Jorgji Çako, nënshkruan koncesionin e parë për krijimin e një banke kombëtare shqiptare. Nënshkrues të tjerë ishin përfaqësuesit e dy prej grupeve financiare më në zë të kohës, përkatësisht Karol Pitner dhe Oskar Pollak të atij austro-hungarez, Weiner Bank-Verein, dhe Pietro Fenolio e Guido Ansbaher të grupit italian, Banca Commerciale Italiana. Në Shqipërinë e trazuar të atij fillimshekulli, por edhe për shkak të tronditjeve që do të vinin shumë shpejt me shpërthimin e Luftërave Ballkanike dhe Luftës I Botërore, Banka Kombëtare Shqiptare nuk mundi të zhvillojë aktivitet. Por, hartimi i këtij koncesioni për krijimin e “Bankës Kombëtare të Shqypërisë” mbetet një dokument i rëndësishëm në historinë e bankigut qendror shqiptar, një gur themeli i këtij institucioni që, në konceptin e vet paraqitës, i përmbahet të gjitha standardeve evropiane të kohës.
Jo më kot, themeluesi i shtetit modern shqiptar, Ismail Qemali, më 28 nëntor 1913 tha:
“…..Këtë n’a e donte shpirti, po nuk kuxonim ta prisnim të baneshe kaq shpejt nga shkaku që punërat e Shqipëries, ndo nga kufinjt, ndo nga organizim’ i vendit që kemi, nuk kanë marrë funt. Kur dyë banka të mëdha, si Weiner Bank-Verein e Austrisë dhe Banca Commerciale Italiana e Italisë, duke pasur pas krahut banka të tjera me një kapital 750,000,000 frangash erdhën ndër neë për t’a dëftyer besimin e ‘tyre e të vënë në përdorim të qeverriës edhe popullit shqipëtar 11,000.000 franga, nuk kishim veç se t’i përgjigjemi me gëzim të math kësaj mirësiës. Pas shumë marrëveshjeve dhe passi u këmbyen shumë mendime, kabineti e pranoi projektin e fundit, i cili u nënshkrua.
E themi me lavdurim se puna e bankës, për Shqipërriën asht nji i dyti fitim pasë lirisë nga pikëpamja ekonomike dhe politike. ...” Ismail Qemal bej Vlora, 28 nëntor 1913.