
Posteri Shqiptar
Në kërkim të imazhit të propagandës
Ky libër është një përpjekje disavjeçare kërkimi rreth posterit të propagandës në Shqipërinë e shekullit XX. Për fat të keq, posterat kanë patur një jetëgjatësi shumë të vogël, në pjesën më të madhe kanë humbur bashkë me ideologjitë që i frymëzuan, por edhe si pasojë e ndryshimeve të herëpashershme të koniunkturave politike të regjimit diktatorial, që i bënë ata të panevojshëm. Fare pak syresh janë ruajtur në arkivat publike, si fondi i Bibliotekës Kombëtare dhe Arkivi Qendror Shtetëror.
Me shpërbërjen e rendit socialist, shumë ekzemplarë, deri dje të ruajtur në magazina dhe arkiva të shtypshkronjave të dikurshme të propagandës, u asgjësuan apo u hodhën plehrave. Madje, ndër më të bukurat dhe më domethënëset imazhe të para të propagandës, të prodhuara me teknologjinë e vjetër të litografisë, humbën përgjithmonë. Fare pak nga posteri i viteve 1940-60 ka mundur të shpëtojë, vetëm falë përpjekjeve të koleksionistëve vendës dhe të huaj, të cilët na mundësojnë sot këtë ballafaqim, këtë pranëvënie, këtë takim të posaçëm me imazhin fillestar të propagandës dhe propagandistit. Premisa e këtij libri është analizimi i ikonologjisë, traditës së imazhit që gjendet pas një posteri, si edhe pikasja e ndryshimeve të ndodhura në këtë traditë, të ardhura si pasojë e ndryshimeve ideologjike në Shqipërinë e shekullit XX.
Ky botim analizon zanafillën e posterit si një model komunikimi masiv, si dhe evoluimin e tij në sistemin e informacionit të planifikuar, që konvencionalisht është i emërtuar: republikë, monarki, fashizëm, Lufta e Dytë Botërore dhe komunizëm.
Pavarësisht se fokus kryesor hulumtimi në këtë libër është posteri i propagandës gjatë periudhës së diktaturës 1945–1990, në të ashtuquajturën “Republika Popullore Socialiste”, më pas “Republika Socialiste e Shqipërisë” historiku i këtij zhanri piktorik në Shqipëri është më i hershëm. Ndaj, një paraqitje në kronologji historike e posterit të propagandës na ndihmon të zbulojmë konceptimin, zhvillimin e formës dhe ndikimin që pati ky zhanër mbi publikun, për të cilin ishte krijuar.
Ky vellim eshte i disponueshem ne gjuhen shqipe dhe ate angleze.
Autori
Rubens Shima