
Gruaja në monedhën kombëtare
Çdo monedhë është një copëz historie. Ajo rrëfen të thënat e të pathënat e shumë ngjarjeve. Në një sipërfaqe fare të vogël gdhenden numra, fytyra, tablo, germa, fjalë, lutje e simbole që flasin shumë për një periudhë, një vend apo një personalitet. Pasqyrimi i gruas në monedhën kombëtare tregon shumë mbi rolin dhe cilësitë e saj; brishtësinë dhe forcën, mjerimin dhe sfidën, drojën dhe emancipimin, e ndonëse më rrallë triumfin e gruas në shoqërinë shqiptare. Në këtë këndvështrim, libri synon të shpalosë të gjitha dimensionet e gruas së pasqyruar në monedhën kombëtare duke u përqendruar nga periudha e pavarësisë, deri në ditët e sotme. Gjithashtu, libri përshkruan zhvillimet politiko-ekonomike e kulturore të kohës, bashkë me përpjekjet për krijimin dhe evoluimin e bankës qendrore. Këto zhvillime gjetën pasqyrim në emetimet, prerjet, vendin e shtypjes, simbolikën dhe mesazhet ilustruese të monedhave dhe kartëmonedhave.