Evente

Ekspozita filatelike ndërkombëtare “NOTOS 2015”

  • Published in Evente
  • Hits: 1567

Sukses i merituar i filatelistëve shqiptarë

Në periudhën 12-15 nëntor 2015, në Greqi, u organizua Ekspozita Filatelike Ndërkombëtare “NOTOS 2015”. Vendi i celjes së saj ishte Qendra e Ekspozitave në Perister, Athinë. Ajo u realizua nga Shoqata Helenike Filatelike, nën kujdestarinë e Federatës Filatelike Europiane (FEPA) dhe Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve Filatelikë (AIJP).

Logoja e ekspozitës ishte realizuar nga znj. Myrsini Vardopoulou, specialiste e njohur e dizajnit të pullave greke, anëtare nderi e Akademisë Europiane të Flilatelisë.
Në “NOTOS 2015” morën pjesë filatelistë nga 21 vende të Europës Jugore. Dhe konkretisht nga: Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Egjipti, Franca, Maqedonia, Izraeli, Italia, Malta, Moldavia, Monako, Mali i Zi, Portugalia, Rumania, Serbia, Sllovenia, Spanja, Turqia dhe Greqia. Secili nga këto vende kishte komisionerin e tij. Shoqata e Koleksionistëve Shqiptarë kishte caktuar si komsioner z. Thimi Nika, anëtar i kryesisë së saj dhe kryeredaktor i revistës “Koleksionisti”. Komisioner i Përgjithshëm ishte z. Costas Chazapis.
Juria ndërkombëtare ishte akredituar nga FIP dhe FEPA. Në Presidiumin e Jurisë bënin pjesë: z. Jose Ramon Moreno (President nderi), z. Antony Virvilis (President), z. Mario Mentaschi (Zëvendëspresident) dhe z. Jean-Pierre Magne (Sekretar).

Pjesëmarrësit në NOTOS 2015 konkuruan në të gjitha klasat e FIP-it plus “Klasën e Kampionëve”. Në ekspozitë morën pjesë edhe tre nga kolegët tanë, zz. Jovan Basho, Emi Gimjani dhe Thimi Nika.

Z. Basho paraqiti një koleksion me pesë stenda, me tematikë “Pushtimi italian në Shqipëri 1939-1943”, në klasën “Histori postare”.
Z. Gimjani konkuroi, po në klasën “Histori postare”, me një koleksion me tematikë “Mbretëria shqiptare 1928-1938”.
Z. Nika u përfaqësua me librin në anglisht “Stamps and postal history of Albania” dhe me një stendë në klasën “Histori postare”, me temë “Postat ushtarake austriake në Shqipëri në vitet 1916-1918”.
Filatelistët tanë arritën një tjetër sukses të merituar në këtë ekspozitë. Ata u nderuan me medalje si më poshtë:
1. Thimi Nika me “Vermeil të Madh”;
2. Jovan Basho me “Vermeil”;
3. Emi Gimjani me “Argjend të Madh”

Më 15 nëntor 2015, që ishte dhe dita e fundit e “NOTOS 2015”, u zhvillua edhe Kongresi i FEPA 2015, i cili mori një varg vendimesh të rëndësishme.